Mungesa e ngrohjes në shkolla |Video
Valbona Tahiri/RTK
Shkolla “Dëshmorët 1921” në fshatin Prapshticë ka gjithsej 12 nxënës. Por ky fakt nuk e zbeh perkushtimin e lartë të mësimdhënësve që mësimi të zhvillohet sipas planprogramit.
Rastet që të mos mbahet mësimi, të cilat mësuesit i cilësojnë të rralla, janë ditët e acarta të dimrit, kur rrugët që të dërgojnë për në fshatin Prapashticë, janë të bllokuara nga bora.
Problem më i madh në këtë fshat të Prishtinës, janë reduktimet e energjisë elektrike.
Edhe pse shkolla në këtë fshat ka një sistem të ngrohjes me pelet, dhe kanë të siguruar sasi të mjaftueshme të kësaj lënde djegëse, atyre u mungon një gjenerator i cili furnizon me rrymë, pompat që përcjellin ujin nëpër radiatorë nga kaldaja e ngrohjes.
Për pasojë, në mungesë të energjisë elektike dhe një gjeneratori, ngrohja nuk funksionon.
Me mungesë të ngrohjes në objektin shkollor, orët mësimore ose shkurtohen apo edhe ndërprehet i gjithë procesi mësimor.
Kështu, ngrohjen me dru dhe stufa, shkolla në Prapashticë e ka si opsion në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Me lëndë djegëse, për këtë sezonë të dimrit tashmë janë furnizuar edhe në shkollën “Rilindja” në Keqekollë.
Sistemi i ngrohjes në këtë shkollë është qëndrore me radiator, por funksionon me lëndën e drurit.
Përkundër faktit që numri i nxënësve në këtë shkollë në Keqëkollë është gjithsej 19, mësimi zhvillohet i ndarë për secilin nivel klase, dhe të gjitha hapsirat e klasëve janë të shfrytëzuara për mësim lëndor teorik e praktik.
Më e rëndësishmja për nxënësit në shkollën “Rilindja” është se procesi mësimor edhe gjatë stinës së dimrit nuk ndërpritet asnjëherë, pasi sitetmi i ngrohjes me dru funksionon në çdo situatë. Madje ata kanë të siguruar edhe gjeneratorin për sistemin e ngorhjes në rast të nërprerjes së energjisë elektrike në këtë shkollë.
Në Drejtorinë komunale të Arsimit në Prishtinë vënë në dukje se 25 gjeneratorë janë shpërndarë në shkollat e kryeqytetit, aty ku ka pasur nevojë, derisa në shkollat e paisura me gjeneratorë, sipas nevojes gjeneratoret edhe janë riparuar.
Sipas nivelit komunal keto jane mundësitë aktuale, derisa për paisjen e shkollave me gjeneratorë shtesë, drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati theksoi se do të kërkojnë ndihmë edhe në Ministrinë e Arsimit.
E në anën tjetër, në Ministrinë e Arsimit deklarojnë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga drejtoritë komunale të arsimit, që shkollat të pajisen me gjeneratorë. Madje këshilltari i ministres së arsimit, Arbërie Nagavci, Valdrin Dervishaj vë në dukje se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme për shkak të planifikimeve buxhetore të cilat janë përfunduar.
Derisa në shkollat e fshatrave të Prishtinës presin që të furnizohen me gjeneratorë për sistemin e ngrohjes, shkolla e muzikës në komunën e Gjilanit procesin mësimor është duke e zhvilluar në formën online, dhe e tërë kjo për arsye se nuk janë furnizuar me lëndë djegëse.
Sistemi i ngrohjes në shkollën e muzikës në Gjilan është me pelet, por kjo lëndë djegëse nuk ka arritur të sigurohet nga komuna dhe mësimdhënësit e nxënësit janë detyruar që mësimi të vazhdohet në distancë nëpërmjet platformave të ndryshme online.
Ndërprerje të procesi mësimor para disa jave kishte edhe në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, pasi edhe kjo shkollë nuk u furnizua me kohë me lëndët djegëse për ngrohje. Por këtë javë një gjë e tillë është zgjidhur dhe procesi mësimor tanimë është duke u zhvilluar në formë të rregullt.























