Peci: Ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht
M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Lidhur me ngjarjen e sotme në një lokal ku ishte i pranishëm edhe ministri Faton Peci, ku shihej një fëmijë i komunitetit joshumicë teksa largohej nga kamerieri, ka reaguar ministri , duke u distancuar nga një akt i tillë.
Ai përmes rrjetit social Facebook ka sqaruar se distancohet nga secili akt që përcjell dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti.
Madje, kjo mund të ketë yshtur kundërshtarët politikë" -, ngase sikundër u shpreh ai, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t'i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej "veprime skandaloze", teksa shtoi se pamje për herë të parë e pashë në rrjete sociale e ne media.
“Unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht”, u shpreh ministri Peci, derisa shtoi se me këtë sulm ishin koordinuar edhe kundërshtarët politikë.
“Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit, sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz”, shtoi Peci duke vazhduar më tej reagimin e tij se dhjetëra miliona euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë.
“ Përkrahja për komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t'i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë”, vuri në dukje ministri Peci, derisa sqaroi se është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura.
Krasniqi: Angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi
Pas publikimit të një videoje ku shihet se si një vajzë nga komuniteti joshumicë shkon për të kërkuar lëmoshë te ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Largimi i vajzës nga kamerieri, ngjalli reagime të shumta.
Në mesin e reagimeve është edhe ai i ministrit Krasniqi, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, theksoi se mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë.
Tutje ai shtoi se si ministër angazhohet që të luftohet racizmi dhe që sjellje të tilla nuk kanë vend në mesin tonë!
“Ngjarja e fundit ku shihet qartë mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë. Unë, angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi. Sjellje si këto nuk kanë vend në mesin tonë!”, reagoi ministri Krasniqi, në Facebook.























