Lirohen nga akuza katër të dyshuarit për sulmin ndaj Kuvendit
B. H. / RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza Frashër Krasniqin, Atdhe Arifin, Egzon Halitin dhe Adea Batushën. Ata ishin në procesin e rigjykimit si të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vitin 2016.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, ka thënë se ndaj të pandehurve nuk është vërtetuar akuza.
Fillimisht në nëntor të vitit 2017, ndaj tyre ishin shqiptuar dënime për akuzën e kryerjes së sulmit terrorist mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës, me qëllim të ‘frikësimit të institucioneve e qytetarëve, prej miratimit të marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi’. Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu këtë proces në rigjykim.
Në këtë proces gjyqësor ishin të akuzuar edhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara, si dhe Petrit Ademi, ndaj të cilit kishin pushuar hetimet.























