Dejan Pantiqit i vazhdohet arresti shtëpiak edhe për dy muaj
J.Musliu/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 4 janar 2023, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, në çështjen penale kundër të pandehurit D.P.
Në këtë rast bëhet fjalë për ish policin e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për shkatërrim të zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut si dhe vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Sipas gjykatës, ndaj shtetasit D.P, ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje, ai ka kryer veprën penale të terrorizimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 5 janar 2023 ka marrë aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të pandehurit D.P, t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për 2 (dy) muaj.
Shkaku i arrestimit të tij, serbët lokalë të dirigjuar nga Beogradi zyrtar e nëpërmjet bandave në veri të Kosovës, kishte bllokuar për tre javë rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, që ndajnë Kosovën me Serbinë.























