Shtëpizat prej druri që nuk u shfrytëzuan |Video
Fatos Cërvadiku/RTK
Komuna e Obiliqit tash e 1 vit ka vendosur në dy sheshet e saj shtëpiza të drurit, të cilat buxhetit të komunës i kushtuan mbi 30 mijë euro. Por vetëm 2 prej tyre u shfrytëzuan.
Opozita në këtë komunë thotë se nga qeverisja aktuale është investuar në një projekt për të cilin paraprakisht nuk janë bërë hulumtime. Derisa zyrtarë të komunës thonë se disa prej shtëpizave janë shfrytëzuar me raste.
Mbi 30 mijë euro i kanë kushtuar komunës së Obiliqit shtëpizat nga druri, të vendosura në sheshin dhe parkun e ri të ndërtuar së fundmi në këtë komunë. Por shumica e tyre nuk janë shfrytëzuar as tash e 1 vit, prej kur janë vendosur. Opozita në këtë komunë kritikon drejtuesit se kanë investuar në një projekt për të cilin paraprakisht nuk është hulumtuar tregu.
“Arsyeja që këto shtëpiza që kanë kushtuar 33 mijë euro si tërësi, janë jofunksionale është planifikimi i pa duhur”, thotë Sami Ahmeti, asamblist i Vetëvendosjes. “E kemi thënë edhe në seancë se kur investohet duhet të bëhet fillimisht hulumtimi i tregut, hulumtimi i atyre që kanë për të hapur një biznes të vogël për fund të vitit”.
Ndërsa nënkryetari i komunës, Ibush Mjekiqi, tha se megjithatë, dy prej tyre janë shfrytëzuar nga operatorët ekonomikë për raste të veçanta.
“Në raste të caktuara kane funksionuar sidomos për ditët e diasporës, por edhe ashtu edhe për festat e 28 nëntorit”, thotë Ibush Mjekiqi, nënkryetar i Obiliqit.
Ndërkohë, ka qytetarë që këtë projekt i cili mori mbi 30 mijë euro të buxhetit komunal, e shohin të dështuar.
Ndërkaq, nuk dihet nëse të njëjtat do të funksionalizohen muajve në vijim.























