Pritje të gjata për të dalë nga Kosova, në Merdarë deri në 4 orë
N.Mekolli /RTKlive
Në pikat e kalimit kufitar të Kosovës me Serbinë edhe sot vazhdon të ketë fluks të automjeteve.
Bashkatdhetarët që vizituan vendlindjen e tyre për festat e fundvitit, tashmë kanë marrë rrugën për në vendet e tyre ku jetojnë dhe punojnë, në Perëndim. Edhe sot, ata përballen me pritje të gjata në pikat kufitare.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar raporton se, sot në rreth orës 10:00, udhëtarët për të dalë nga pika kufitare, Kosovë – Serbi në Merdarë, po presin 180 deri në 240 minuta. Radha e kolonave në këtë pikë është 3000 metra.
Situatë e ngjashme është edhe në pikën tjetër në kufi me Serbinë, te Dheu i Bardhë, ku pritjet janë deri në katër orë kurse kolona deri në 2.3 kilometra. Kurse në piken kufitare në Muçibabë dhe Mutivodë pritjet janë deri në dy orë.
























