Nëse gjykimi ndaj “Thaçit...” mund të nis me 1 mars, diskutohet më 18 janar
J.Musliu/RTKlive
Konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi dhe të tjerët, do të mbahet më 18 janar.
Kështu kanë njoftuar Dhomate Specializuara të Kosovës në Hagë.
Një gjë e tillë ishte paralajmëruar gjatë konferencës së fundit për ecurinë e çështjes, nga Trupi Gjykues II.
Ky trup, ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, më 18 janar në ora 09:30.
Në këtë konferencë përgatitore, do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale.
Gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët” që u mbajt më 16 dhjetor, Trupi Gjykues bëri me dije synimin për të proceduar në këtë çështje gjyqësore me deklaratat hyrëse në fillim të marsit 2023.
Trupi Gjykues njoftoi më tej se për ta mundësuar këtë, në muajin janar do të planifikohet një konferencë përgatitore për gjykimin, e cila do të ndiqet nga një konferencë përgatitore për Prokurorinë në muajin shkurt.
























