Pak nxënës, paralelet drejt mbylljes |Video
Driton Ramadani/ RTK
Në mungesë të nxënësve në Dremjak e Gërlicë të Ferizajt, paralelet e 8 shkollave po shqyrtohen të mbyllen. Kështu kanë thënë nga Drejtoria e Arsimit të Ferizajt, bazuar në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit. Por, këtë veprim të komunës po e kundërshtojnë banorët. Ata thonë se përveç kontributit që kanë dhënë në ndërtimin e këtyre shkollave, mbyllja e tyre do të ndikojë në migrimin e banorëve.
Tetë shkolla, kryesisht paralelet e tyre të ndara, mund të mbyllen në Ferizaj për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Këtë vit dy prej tyre; një në fshatin Dremjak dhe një në Gërlicë të Ferizaj, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit, kanë bërë të ditur në drejtorinë e Arsimit në Ferizaj.
“Ministria e Arsimit ka bërë një udhëzim administrativ e cila ka të bëjë me trajtimin shkollave të cilat kanë një numër më të vogël të nxënësve, apo ka ramje të numrit të tyre. Në bazë të këtij udhëzimi administrativ janë të përcaktuar dhe disa kritere dhe specifika që kanë të bëjnë me këtë çështje. Në komunën e Ferizajt fatkeqësisht kemi 8 shkolla të cilat janë duke u trajtuar në këtë kontekst dhe pritet që në një periudhë kohore të ndermirët diçka në këtë drejtim. Ne po mundohemi që me të gjithë akteret e involvuar të bëjmë më të mirën të mundshme”, thotë Afrim Llabjani, Drejtor i Arsimit në Ferizaj.
Banorët e fshatrave ku janë shkollat, thonë se për ta është një lajm jo i mirë ngase kontribuuan në ndërtimin e tyre dhe se kjo shtonë mundësinë e migrimit nga fshati në qytet.
“Ne kemi shpresë dhe jemi shumë opirmist sepse sakrifica e prindërve ka tregua se na duhet patjetër të vazhdojmë ta kërkojnë të drejtën tonë për këtë shkollë sepse është kontrubut i veçantë që është dhënë pas luftës. Këtu thash edhe me herët janë 40 nxënës të cilët i ka shkolla jonë. Do t’i djekim të drejtat tona deri në maksimum mos ta mbyllim shkollën sepse nuk ka destinacion tjetër pos shkollë”, tha Rexhep Muhaxheri, ish mësimdhënës dhe banor i Dremjakut.
Ndërkaq, përfaqësues i fshatit Gërlicë, Xhafer Berisha i ka lutur institucionet që çdo vendim që e marrin ta analizojnë mirë.
“ I lusë institucionet vendore që çdo vendim që e marrin ta analizojnë mirë sepse kjo ndikon direkt në migrimin e banorëve nga fshati në qytet. Ku kjo është bërë si traditë se çdo qytetar po dëshiron që ta ketë një jetë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme”, tha Berisha
Sipas drejtorisë së Arsimit, sfidë në vete mbetet sistemimi i personelit në rast të mbylljes së shkollave.























