Kurti fton minoritetet të aplikojn për Polic të Kosovës|Video
BKT
Kosovë

Kurti fton minoritetet të aplikojn për Polic të Kosovës|Video

Fadil Sertolli / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me anë të një video u është drejtuar të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë, kroatë dhe malazezë - që ta shfrytëzojnë si mundësi që të aplikojnë në konkursi për polic të Kosovës dhe të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve brenda komunave në veri të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se konkursi është i hapur deri më 26 janar.

Me këtë rast, i pari i qeverisë së vendit ka thënë se Policia e Kosovës është për të gjithë dhe me të gjithë në shërbim të të gjithëve.

 “Nuk ka dhe nuk do të ketë dallime brenda saj apo në ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e përbashkëta jonë.

 “Ne punojmë të gjithë së bashku dhe pa dallim për mirëqenien e vendit tonë, për ta bërë atë më të sigurt, më të jetueshëm dhe të barabartë për të gjithë. Siguria është një nga shtyllat bazë të qeverisjes sonë, ndërsa institucionet e sigurisë janë gjithmonë pranë të gjithë qytetarëve për të mbrojtur jetën dhe pronën”, thotë kryeministri i Kosovës në videon drejtuar qytetarëve në vend.

Policia e Kosovës, tha ai, si një institucion që është gjithmonë me të gjithë ne, që nga themelimi i saj ka hapur dyert për dhjetëra gjenerata, djem e vajza, pa dallime në bazë etnike apo fetare.

 “Të gjithë ata shërbejnë sot, me uniformë policie, me besnikëri dhe nder, kudo brenda Republikës. Tani, kur jemi para fazës finale të diplomimit të një gjenerate të përbërë nga djem dhe vajza të të gjitha komuniteteve, dhe të cilët janë të gatshëm të fillojnë të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët në vendin tonë, Policia e Kosovës ka hapur derën për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë për t'iu bashkuar me qëllim që të ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët tanë që jetojnë në komunat në veri të vendit”, thotë kreu i Qeverisë së vendit Albin Kurti.


MË SHUME NGA Kosovë