TI: Kosova shënon përmirësim në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit
J.Musliu/RTKlive
Transparency International publikoi sot Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2022.
Për vitin 2022, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, duke u ranguar në vendin e 84 në ranglistën botërore prej 180 shtetesh. Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të përmirësimit të Kosovës krahasuar me vitet e kaluara.
Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet në vendin e dytë, pas Malit të Zi (45), ndërsa lë pas Maqedoninë e Veriut (40), Shqipërinë dhe Serbinë (36), si dhe Bosnje dhe Hercegovinën (34).
Sidoqoftë, Kosova mbetet larg mesatares botërore prej 50 pikësh, ndërsa shumë larg mesatares së BE-së prej 66 pikësh.
Progresi i atribuohet përmirësimit të kornizës ligjore për financimin e partive politike, si dhe pakos së ligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Sidoqoftë, përfshirja e akterëve relevant në kuadër të këtyre reformave vlerësohet si e mangët, shpesh e përcjellë me bojkote. Puna e institucioneve, me theks te ekzekutivit shpesh është përcjellë me rënie të nivelit të transparencës.
Ky indeks publikohet në baza vjetore, për 180 shtete të botës, duke përdorur një metodologji vlerësuese e cila është e bazuar në burime kredibile të institucioneve ndërkombëtare.
Vlerësimi fillon nga zero deri në 100 pikë – ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion. Rezultatet e CPI për vitin 2022 tregojnë që shumica e shteteve kanë pasur pak apo fare progres në luftimin e korrupsionit, duke bërë që më shumë se 2/3 e shteteve të botës të kenë probleme serioze me korrupsionin dhe të jenë të nën vlerën mesatare prej 50 pikëve.























