Gratë më pak të interesuara në zgjedhje lokale
Foto: RTKlive
Kosovë

Gratë më pak të interesuara në zgjedhje lokale

J.Musliu/RTKlive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. Me këtë rast është bërë edhe publikimi i trendeve zgjedhore në Kosovë, gjatë viteve 2009-2021.

“Ky dokument është gjithëpërfshirës, i pari i këtij lloji, pasi ofron të dhëna në mënyrë të detajuar për më shumë se një dekadë të proceseve zgjedhore”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Sipas tij, pas çdo periudhe të zgjedhjeve është rritur numri i votuesve. Ai përmendi edhe pjesëmarrjen në zgjedhje lokale. Elezi theksoi se për analizë janë marrë 7 komunat më të mëdha të vendit.

“Pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet lokale për Kuvendet komunale ka qenë në vitin 2013 e cila ka qenë rreth 47%”.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së tha se në periudha jo zgjedhore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është në vëmendje mediale, por kjo nuk do të thotë se nuk kryen punë për fuqizimin e këtyre proceseve.

Ai theksoi rëndësinë e këtij dokumenti dhe shtoi se do të vazhdojnë me publikime të mëtejme.

Pascale Roussy, Drejtoreshë e Demokratizimit të OSBE-së në Kosovë, tha se kjo organizatë ka qenë partner me Komisionin Qendror Zgjedhor, për shumë kohë tashmë.

“OSBE do ta mbështetë KQZ-në, do të ketë një kampanjë që ta ngrisë vetëdijen zgjedhore në lidhje me proceset e votimit” tha Roussy.

Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, tha se në vitin 2017 ka qenë dalja më e madhe në zgjedhje, si dhe përmendi disa faktorë kontribuues.

Cakolli përmendi edhe faktorët kyç për dalje në zgjedhje dhe arsyet pse nuk dalin votuesit.

“Niveli i informimit të votuesve është një ndër faktorët kyç, pastaj mosha mesatare”, tha ai.

Të dhënat e analizuara në këtë dokument u takojnë 5 proceseve zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës (2010; 2014; 2017; 2019 dhe 2021) dhe 4 proceseve zgjedhore lokale për Kuvendet Komunale (2009; 2013; 2017 dhe 2021).

 


MË SHUME NGA Kosovë