Ambasadorët e OSBE-së në Kosovë, mbështesin dialogun Kosovë - Serbi
Foto: Valjeta Shala
Kosovë

Ambasadorët e OSBE-së në Kosovë, mbështesin dialogun Kosovë - Serbi

Valjeta Shala/RTK

Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it (Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës) në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Grupi vizitues përbëhet nga ambasadorët Christine Fages, Gesa Braeutigam, Stephano Baldi, Neil Bush dhe Michael Carpenter. Ky delegacion po e viziton Republikën e Kosovës në kuadër të turneut rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadorët sot vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike të mbështetur nga OSBE-ja, në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë së Kosovës.

Gjatë takimit u the se është mjaftë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe përkushtimi i partnerëve ndërkombëtarë që të arrihen rezultate të kënaqshme, andaj kanë falënderuar delegacionin për ndihmën e dhëne ndaj institucioneve të sigurisë.

“Jam i lumtur që jemi këtu në këtë ambient ku është ngritur fal bashkëpunimit nga aleatët tanë. Nga kjo akademi kanë dal kuadro që sot i shërbejnë vendit. Prioriteti ynë që kemi theksuar është siguria, lufta kundër kontrabandës dhe do të angazhohemi maksimalisht që të krijojmë sigurojmë për qytetarët tanë. Policia ka shënuar rezultate dhe suksese falë përkushtimit dhe trajnimeve që kanë dal nga kjo akademi”, deklaroi Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Kastriot Jashari tha se Akademia është në vazhdimësi në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe ka akreditim ndërkombëtare. “Dhe me OSBE kemi një bashkëpunim të mirë në të gjitha sferat dhe fushat andaj falënderoi për vizitën”, tha ai.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se OSBE është krenare për partneritetin te përbashkët.

Ndryshe, ky delegacion i ambasadorëve të OSBE-së, në kuadër të turneut të tyre rajonal, qëndruan në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vijim do të vizitojnë Serbinë para se të kthehen në Vjenë. Gjatë vizitës së ambasadorëve në Kosovë, ata do të zhvillojnë takime me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

Ambasadorët deklaruan përpara vizitës së tyre: “Ballkani Perëndimor është një rajon jashtëzakonisht i rëndësishëm për OSBE-në dhe për qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës...Ne do të ritheksojmë rëndësinë e vazhdimit të përparimit konkret në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i mbështetur nga të pesë vendet tona, që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe do të diskutojmë se si OSBE-ja mund të mbështesë më së miri zhvillimin demokratik të Kosovës në të gjitha dimensionet e OSBE-së dhe fushat prioritare dhe reformat e sundimit të ligjit”.


MË SHUME NGA Kosovë