Mungesa e një trafostacioni në Malishevë i le banorët në terr|Video
Myrvete Axhami / RTK
Komuna e Malishevës është përballur me mungesë të theksuar të energjisë elektrike që nga fundi i vitit të kaluar. E këtë problem, përveç amvisërisë, e vuajnë edhe nxënësit por edhe bizneset.
"Është ftoftë , nuk ka kushte të mira për mësim. Ndonjëherë orët i kemi mbajt me 30 minuta , por gjithsesi kjo nuk na ka pengu për të mësuar , sepse kemi mësuar me dritë të telefonit", ka thënë Driola Gashi – Nxënëse.
"Një nga problemet kryesore është bërja e detyrave nga ne nxënësit për shkak të mungesës së dritave , por edhe në klasë po bëhet ftoftë nëse ndalet energjia elektrike , pasi nuk punojnë nxemjet", ka thënë Tringa Morina – Nxënëse.
Rezarta Mazreku Kastrati - Drejtoresh e shkollës së mesme të ulët " Ibrahim Mazreku", ka thënë se mungesa e energjisë elektrike përveçse na shkakton telashe në ndriçim , na shkakton telashe edhe në ngrohje , por edhe në furnizim me ujë .
"Përveçse na shkakton telashe në ndriçim , na shkakton telashe edhe në ngrohje , por edhe në furnizim me ujë . Pothuajse pasdite mësimi nuk mund të mbahet . Kemi mungesë të furnizimit me ujë të pishëm edhe për banjo . Kemi gjenerator , jemi të pajisur nga drejtoria e arsimit , por është e pamundur që të na mbulojë , për shkak se shkolla është e madhe dhe mund të mbulojë vetëm pjesën e nxemjes , ose të ndriçimit", ka shtuar Mazreku-Kastrati.
E gjithë Malisheva furnizohet më rrymë nga një nënstacion i komunës së Rahovecit, ndërsa kërkesat e komunës deri tani nuk është realizuar.
Kurse Ekrem Kastrati - Kryetar i komunës së Malishevës, ka thënë se ne furnizohemi prej nënstacionit të Rahovec, që rryma sigurisht edhe humbet dhe përçuesit janë që nga viti 1975 dhe nuk e përballojnë dot sasinë e konsumit që tani është në komunën e Malishevës.
" Mungesën më të madhe të energjisë elektrike e kemi pas deri në 22 orë në ditë, më pastaj kemi pas 18 orë, më pastaj 13 orë e diçka . Kështu që vazhdimisht kemi pasur këto pengesa e mos të flasim për reduktimet. Aktualisht ne furnizohemi prej nënstacionit të Rahovec, që rryma sigurisht edhe humbet dhe përçuesit janë që nga viti 1975 dhe nuk e përballojnë dot sasinë e konsumit që tani është në komunën e Malishevës", ka thënë Kastrati.
Një nënstacion për Malishevën, sipas zyrtarëve të KOSTT-it, pritet të vendoset brenda tri vitesh.