Komisioni i arsimit voton Marrëveshjen për Njohjen e Kualifikimeve
RTKlive
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti mbledhje, në të cilën u shqyrtoi dy projektligje.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, para anëtarëve të Komisionit paraqiti rëndësinë dhe qëllimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, i cili sipas saj, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për njohjen automatike të dëshmive të kualifikimeve formale, bazuar në kushtet minimale të trajnimit brenda palëve për qasje dhe ushtrim të profesionit të rregulluar, si dhe kushtet minimale të harmonizuara të trajnimit në një ose më shumë palë të tjera.
Tutje, ministrja theksoi se marrëveshja është dakorduar mes palëve në kontekst të integrimit ekonomik, në përputhje me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (“CEFTA”) 2006, që ka për synim heqjen e pengesave për njohjen e kualifikimeve profesionale, inkurajimin e mobilitetit të profesionistëve dhe njohjen automatike të kualifikimeve profesionale. Ministrja Nagavci vlerësoi se Projektligji është i rëndësisë së madhe dhe kërkoi nga Komisioni miratimin e tij.
Po ashtu, nga ministrja u prezantua edhe arsyetua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se Projektligji ka për qëllim të rregullojë njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, vazhdimin e studimeve dhe qasjen në tregun e parregulluar të punës në secilën nga palët. Sipas ministres, marrëveshja gjithashtu synon inkurajimin e bashkëpunimit maksimal ndërmjet qendrave të brendshme të njohjes, duke përfshirë shkëmbimin dhe ndarjen e përvojave, mjeteve dhe bazave të të dhënave, bashkëpunimin përmes Bazës së të Dhënave Rajonale të Njohjes së Ballkanit Perëndimor. Duke e vlerësuar të rëndësishëm këtë Projektligj, ministrja kërkoi nga deputetët përkrahjen e tij.
Pas prezantimit dhe arsyetimit të ministres, të dy projektligjet u hodhën në votim dhe njëzëri u miratuan nga Komisioni, për t'u proceduar tutje në Kuvend.























