Fushatë vetëdijësuese për cilësinë e ajrit në Kosovë
J.Musliu/RTKlive
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka nisur një fushatë që synon rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë dhe palëve të tjera të interesit në lidhje me cilësinë e ajrit në Kosovë.
Kjo fushatë është pjesë e projektit, “Ngritja e kapaciteteve mbi përdorimin e të dhënave mjedisore në Kosovë”, që zbatohet në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SEPA), me mbështetje nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtarë (SIDA).
Në kuadër të kësaj fushate, do të ofrohen informata, udhëzime dhe materiale tjera vetëdijësuese që kanë për qëllim që t’i mundësojnë publikut që të kuptojë rëndësinë e të dhënave për cilësinë e ajrit, të lehtësojë leximin dhe kuptimin e këtyre të dhënave si dhe të vetëdijësojë publikun për ndërmarrjen e veprimeve të mundshme për reduktimin e ndotjes së ajrit.
Me këtë rast, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), inkurajon publikun që të shkarkojë dhe përdorë aplikacionin për cilësinë e ajrit në Kosovë nga Rrjeti shtetëror i monitorimit të cilësisë së ajrit - Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (ihmk-rks.net). dhe portali airqualitykosova.rks-gov.net.
Rezultatet e pritshme të fushatës janë rritja e ndërgjegjësimit të popullatës për ndikimet negative të ndotjes së ajrit dhe ndërgjegjësimi i politikëbërësve për përfitimet nga investimet përmes strategjive, planeve dhe projekteve për reduktimin e ndotjes së ajrit.























