Në Ministrinë Mbrojtjes filloi aksioni tradicional i dhurimit të gjakut
BKT
Kosovë

Në Ministrinë Mbrojtjes filloi aksioni tradicional i dhurimit të gjakut

RTKlive

Në Ministrinë së Mbrojtjes prej sot ka filluar sesioni i parë i dhurimit vullnetar të gjakut, tashmë tradicional për nevojat e Qendrës  Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), aksion i cili do të vazhdojë deri më 22 mars në të gjitha kazermat e FSK-së.

Përmes një komunikate për medie, bëhet e ditur se këtij aksioni i janë përgjigjur pozitivisht shumica e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku janë grumbulluar një numër i konsiderueshëm i dozave të gjakut.

Me këtë rast, si dhurues i gjakut i pranishëm ishte edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili theksoi se dhurimi i gjakut do të thotë të shpëtosh jetë dhe ky është një motiv shumë i lartë për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, që t’u dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në nevojë.

Nga ana e QKKTGJ-së, dr.Xhemile Sllamniku, theksoi se sikur në çdo aspekt që FSK i ndihmon qytetarët e vendit, ashtu ndihmon edhe në dhurimin vullnetar të gjakut, i cili gjithmonë realizohet me sukses të lartë.  Gjithashtu, ajo theksoi se çdo vit e më tepër po shtohet numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut, i cili mbahet dy herë në vit, është  në kuadër të bashkëpunimit   në mes të  Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën  Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ)”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se përveç aksionit të organizuar, pjesëtarët e FSK-së kanë qenë dhe janë çdo herë të gatshëm që t’u përgjigjen kërkesave të QKKTGJ-së edhe për nevojat sporadike në raste specifike.


MË SHUME NGA Kosovë