Shpërblehen 6 komuna për performancën më të mirë
BKT
Kosovë

Shpërblehen 6 komuna për performancën më të mirë

M.Miftari/RTKlive

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e Kosovës, në partneritet me BE-në në Kosovë dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot “Grantet e Performancës Komunale” në vlerë prej 7.85 milionë euro për gjashtë komunat me performancën më të mirë në Kosovë.

Grantet iu dhanë: Gllogocit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021, në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike.

Siç bëhet e ditur, nga shuma totale për grantet, MAPL ka siguruar 3.5 milionë euro, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 4.35 milionë euro të tjera.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar disa nga hapat e ndërmarrë nga MAPL-ja në mënyrë që konkurrenca ndërmjet komunave të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë.

Krahas kësaj, ai theksoi se MAPL-ja “do të jetë gjithmonë në krah të komunave, duke ofruar mbështetjen e saj të parezervë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës përmes këtij granti, i cili këtë vit mbështet 6 komuna me rreth 8 milionë euro.

Ndërsa shefi i Bashkëpunimit në kuadër të Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, shprehu përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt prosperitetit dhe integrimit evropian.

“Me ndihmën e BE-së për Kosovën që rrjedh nga vala e tretë e financimit në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit, që mbulon periudhën 2021-2027, ne po synojmë gjithashtu të përmirësojmë cilësinë e shërbimit të ofruar në nivel komunal, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës së çdo gruaje, burri dhe fëmije që jeton në Kosovë. Grantet e Performancës Komunale përfaqësojnë një rrugë përmes së cilës BE-ja po ndihmon institucionet e Kosovës që t'u përgjigjen më mirë nevojave të popullatës lokale”, tha Madsen.

Kurse ambasadori zviceran në Kosovë, Thomas Kolly, në fjalimin e tij tha: “Zvicra ka qenë e përfshirë në ‘Grantin e Performancës Komunale’ që nga fillimi. Sot GPK-ja është zhvilluar më tej dhe financimi i saj është rritur ndjeshëm me bashkëfinancimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe katër donatorëve ndërkombëtarë. Kjo konfirmon vlerësimin tonë të përbashkët për GPK-në dhe përkushtimin tonë për mbështetjen e zhvillimit të komunave të Kosovës dhe qeverisjes lokale në përgjithësi”.

E mbasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, theksoi aspektin pjesëmarrës të qeverisjes së mirë.

"Të mos harrojmë se cilësia e demokracisë varet shumë nga pjesëmarrja e qytetarëve. Kryetarët e komunave dhe ekipet e tyre janë katalizatorët që i kthejnë idetë vizionare në rezultate të prekshme në komunitetet tona. Megjithatë, këto projekte janë në të mirë të qytetarëve dhe ata duhet të jenë aktori kryesor në procesin e përcaktimit të prioriteteve dhe vendimmarrjes se cilat investime duhet të jetësohen. Prandaj, duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha për të përfshirë grupe më të mëdha të qytetarëve në këto procese", tha ambasadori Westerlund.

Në fund, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, përgëzoi komunat dhe institucionet partnere të Kosovës për punën e tyre drejt përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të tyre përmes projektit DEMOS.

“Grantet e performancës tani janë integruar në sistemin e Kosovës dhe kontribuojnë në qeverisjen e mirë të decentralizuar. Komunat inkurajohen nga financimi që t'i forcojnë strukturat e tyre qeverisëse dhe si rrjedhojë të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët e tyre. Kjo çon në pronësi lokale, e cila është e rëndësishme për të bërë ndryshime reale” – tha Jens Erik Grøndahl.

Që nga lansimi i tij në vitin 2017, programi i “Granteve të Performancës Komunale” ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve komunale dhe qeverisjes për më shumë se 700,000 qytetarë në 28 komuna në mbarë Kosovën.

Përmes grantit, komunat kanë qenë në gjendje të investojnë në infrastrukturë dhe shërbime thelbësore, duke përfshirë rrugët, shkollat, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe sistemet e menaxhimit të mbeturinave, duke rezultuar në përmirësime të dukshme në cilësinë e jetës së qytetarëve.


MË SHUME NGA Kosovë