Punëtorët e “Pastrimit” edhe sot e bojkotuan punën
Valtona Kelmendi/Radio Kosova
Po vazhdon edhe sot protesta e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi” në kërkim të kushteve më të mira të punës e rritje pagash. Si shenjë proteste, ata, as sot, nuk dolën të mbledhin mbeturinat në kryeqytet.
Zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnora Ademi tha për Radio Kosovën se punëtorët janë të vendosur që të vazhdojnë me protesta deri në realizim të kërkesave të tyre, teksa nënvizoi se sot gjatë ditës pritet të merret një vendim nga drejtuesit e kompanisë.
“Punëtorët janë të vendosur që nuk do të ndërpritet protesta e tyre deri në realizimin e kërkesave dhe ne sigurisht e kemi parasysh këtë fakt. Shpresoj që ne si kompani do të dalim sot me një vendim zyrtar për këtë çështje,” tha zëdhënësja e kompanisë, Arbnora Ademi.
Nga protesta që nisi dje, Prishtina ka mbetur pa shërbimin e largimit të mbeturinave, derisa nga kompania u zotuan që muajt e ardhshëm do të ketë ngritje të pagave.
Punëtorët kanë kërkuar rritje pagash në vlerë prej 70 eurosh.