Shpëtimi i viktimave të dhunës në familje është punësimi i tyre
Mejreme Tahirukaj/Radio Kosova
Tridhjetë gra të mbijetuara të dhunës janë në biznese të vogla kurse dy nga to, punojnë në institucione publike. Deri në fund të shkurtit, 320 gra janë regjistruar si viktima të dhunës në familje, e në vitin 2022, mbi 2 mijë 700 raste të tilla u raportuan në Kosovë. Prej tyre, 2 mijë e 289 ishin femra.
Dhuna në familje është fenomen shumë i pranishëm në shoqërinë kosovare. Prandaj, punësimi i grave konsiderohet si faktor që do t’i fuqizonte ato.
Sebahate Pacolli, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, për Radio Kosovën thotë se pas rehabilitimit psiko-social dhe mjekësore, të mbijetuarit e dhunës aftësohen për punë përmes programeve të ndryshme. Pacolli sqaron se kjo qendër target e ka punësimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Tridhjetë persona kanë arritur që të fuqizohen në atë nivel që janë të gatshëm për punësim” thotë Pacolli.
“Për të gjithë këta persona kemi bërë ndërmjetësim të kritereve që duhet t’i kenë parasysh kur iu qasen këtyre personave, në kuptimin e identifikimit të punëve të cilat janë më të përshtatshme dhe të cilat kanë kapacitete me punë e të cilat janë të shpërndara nëpër bizneset e vogla dhe dy prej tyre punojnë në institucione publike”, thotë ajo.
Ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar një skemë punësimi, ku do të punësoheshin gratë dhe vajzat të cilat janë viktima të dhunës në familje.
Doruntina Gashi, drejtoresh e organizatës “Humanus Vita” në Drenas, thotë se ajo ka disa raste kur viktimat e dhunës në familje kanë kërkuar ndihmë por, sipas saj, ato nuk kanë mundur të punojnë për shkak të fëmijëve.
“Ne do të punojmë dhe po mundohemi që të avokojmë te institucionet që fillimisht t’u gjendet ndonjë punë, sepse strehimorët po ofrojnë zgjidhje për një kohë të shkurtër”, thotë Gashi.
Ndërkaq Besmira Aliu, nga Organizata “IN-Time” nga Lipjani që merret me zhvillim ekonomik, analiza dhe trajnime, thotë se në organizatën nga e cila vjen ka shumë viktima të dhunës psikike dhe asaj fizike. Ndërkaq viktimat janë të interesuara për punë në sektorin e gastronomisë.
“Zakonisht gratë që janë në moshë pak më të vjetër janë më shumë të interesuara për hapjen e bizneseve të veta dhe ushqimet tradicionale, që po kanë sukses kohëve të fundit”, thotë Aliu. “Normalisht është edhe pjesa tjetër, punë dore. Ndërkaq të moshat më të reja kemi kërkesa në rrobaqepësi”.
Deri në fund të shkurtit, 320 gra janë regjistruar si viktima të dhunës në familje. Ndërsa në vitin 2022, mbi 2 mijë 700 raste të dhunës në familje u raportuan në Kosovë, ku prej tyre 2 mijë e 289 e viktima ishin femra.