Handikos: Shumë persona me aftësi të kufizuara, pa pensione
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

Handikos: Shumë persona me aftësi të kufizuara, pa pensione

J.Musliu/RTKlive

Handikos ka njoftuar se me shqetësim është duke e vëzhguar procesin e zbatimit të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.

Sipas tyre, nuk po bëhet vlerësim i drejtë për këtë grup nga ana e Komisionit Mjekësor, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, për çka Handikos-i thotë se shumë persona me aftësi të kufizuara janë përjashtuar deri më tani nga lista e pensioneve.

 “Këtë problematikë, edhe pas ankesave të shumta nga anëtarët tanë, tash e disa muaj në vazhdimësi e kemi ngritur dhe adresuar te Departamenti i Pensioneve, MFPT, Zyra Ligjore, Komisioni përkatës, Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, si dhe nëpër takimet me Presidenten, Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin. Madje kemi kërkuar publikisht edhe shkarkimin e Komisionit aktual Mjekësor, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë në ndryshimin e situatës”.

“Lidhur me këto padrejtësi, me dhjetëra persona janë duke u përballë nëpër gjykata, të cilat përveç që iu kushtojnë materialisht duke angazhuar edhe avokatë, kjo po iu shkakton edhe maltretim” thuhet në kumtesë.

Handikosi sqaron se në vitin 2019 kanë qenë 3,100 përfitues nga Ligji për Statusin Paraplegjik dhe Tetrapelgjik, ndërsa aktualisht janë vetëm 2470.

“Prej tyre, vlerësohet se afro 40 kanë ndërruar jetë nga komplikimet shëndetësore, gjë që lë të kuptohet se pjesa tjetër janë eliminuar nga skema e pensioneve, po për shkak të mosvlerësimit adekuat. Ndërsa, llogaritet se në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona paraplegjik dhe tetraplegjik”.

Handikos thekson se përjashtimi apo mosvlerësimi i drejtë nga komisioni mjekësor është duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e tyre.

 


MË SHUME NGA Kosovë