BSPK paralajmëron veprime kundër rritjes së tarifës për energji
J.Musliu/RTKlive
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar pas vendimit të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifës për rreth 15%.
BSPK-ja deklaron se është kohë krizash dhe veprimet e papërgjegjshme po e rrisin edhe më tej krizën duke e vënë qytetarin e Kosovës para sfidave të shumta.
“Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është i panevojshëm dhe i pa bazë e mbi të gjitha sfidues për qytetarin”, deklaron BSPK-ja.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërret vendimmarrësit që ta rishikojnë vendimin dhe të mos e sfidojnë qytetarin duke e shtrydhur e duke e rrëzuar ekonomikisht e duke ia marrë dinjitetin.
“Vendimi për shtrenjtimin e rrymës në këtë kohë të pa kohë nuk sjell as gjë të mirë por përkundrazi kontribuon në përkeqësimin e mirëqenies sociale e ekonomike”, shkruan në reagim.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thekson se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore të organizimit sindikal për të bindur vendimmarrësit që ta tërheqin vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike.