Vetëvendosje i bashkohet “Marshit për Drejtësi”
J.Musliu/RTKlive
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se e mbështet “Marshin për Drejtësi” që do të mbahet këtë të diel me 2 prill prej orës 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi”, shkruan në njoftimin e kësaj partie.
“Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot”.
Sipas Vetëvendosjes, instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare, por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin”, shkruan në njoftim, por pa përmendur të akuzuarit e tjerë që po mbahen në paraburgim nga Specialja. “Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës”.
Vetëvendosje shpreh bindjen se ata do ta tejkalojnë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta. “…Dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur”.