Krasniqi: Sot kemi një qeveri që ndërmerr veprime anti-kushtetuese
B. H. / RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se Kushtetuta është pasqyrë e vlerave bashkëkohore të shoqërisë tonë, por sipas tij qeveria e tanishme po ndërmerr veprime antikushtetuese.
“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, e një varg shkeljesh tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tutje ka theksuar se PDK mbetet e përkushtuar për ta ‘mbrojtur dhe për ta ruajtur këtë akt thelbësor të shtetësisë së Republikës sonë, duke denoncuar çdo veprim që bie ndesh me dispozitat themelore dhe rendin tonë kushtetues. Urime Dita e Kushtetutës, qytetarë të Kosovës!”, ka shtuar lideri i partisë më të madhe opozitare.























