Valon Syla flet pas sulmit: Nuk na duhet paqja pa liri!
J.Musliu/RTKlive
Një ditë pasi u sulmua nga tre persona, gazetari Valon Syla, nëpërmjet një statusi të gjatë në Facebook, ka shpjeguar qëndrimin e tij në lidhje me ngjarjen.
Pasi ka treguar se është mirë me shëndet dhe ka falendëruar të gjithë për përkrahjen, Syla shpjegon se pas debatit në televizionin privat, T7, bashkë me drejtuesin e emisionit, Leonard Kërqukin dhe gazetarin tjetër, Ilir Mirena, kanë shkuar në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
“Dhe pikërisht para shkalleve duke hyrë ne lokal, u sulmova nga 3 persona, në dukje islamik fanatik”, shkruan Syla.
Ai deklaron se sulmi ndaj tij, ka mundësi të ketë lidhje me reagimet që ka bërë për rastin, siç e quan ai, të 'Mulla Mercedesit' dhe ngjarjeve në BIK.
“Nuk e di nëse i ka porositur ndokush, por kjo mjaftoi që të pësoj lëndime të rënda në kokë, dhe në dorën e majtë”.
Më tej Syla shkruan se ajo që e shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimi i tij, përveç që ishte i faktuar, kishte edhe dozë të theksuar të humorit.
“Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik qe sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrinë të pranojë humorin dhe fjalen e lirë, shpalosë te ata zymtësinë e theksuar të mendimit dhe mentalitetit të tyre”.
Syla thekson se tendenca e tyre që dhunshëm të imponohen që të arrijë objektiva të errta dhe fanatike deri në shkeljen e të drejtave më bazike të njeriut, tregon taktikën e tyre kryesore që është frikësimi i masave.
“Me sulme sikur ndaj tipave si unë, mundohen t’i frikësojnë të gjithë ata që janë në dy mendje”.
“Këta predikues fetarë, e hoxhallarë që nxisin dhunë e prodhojnë kesi militantizmi shpërblehen me mercedesa, nga shefat e bashkësive fetare, dhe duke i shpërblyer përgatitën të ushtrojnë dhunë dhe frikësim te të gjithë ata që nuk i përcjellin dogmat e tyre”.

Ai shkruan se feja është e rendësishme dhe njerëzimi nuk do të arrinte këtu ku është pa të mirat e saj.
“Po ashtu Islami thuhet se nënkupton paqe. Por jo edhe liri”.
“Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk iu nevojitet paqja, pa liri”.
“Kosova është e lirë. Fjala është e lirë”.
Syla thekson se frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri.
“Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve si kosovarë”.
“Andaj flisni, shkruani dhe mbrone lirinë. Por mos e harroni as sensin e humorit”.























