Mbajtja e zgjedhjeve në veri, mes ligjit dhe problemeve në teren |Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Mbajtja e zgjedhjeve në veri, mes ligjit dhe problemeve në teren |Video

Visar Shatrolli/RTK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shtyrë për të dytën herë mbledhjen rreth përgatitjes së zgjedhjeve në veri, që janë përcaktuar të mbahen më 23 prill. Derisa data e zgjedhjeve dihet, ende nuk dihet se ku do të jenë qendrat e votimit. Në këtë situatë, zgjedhjet në veri, sipas shoqërisë civile, është e pamundur të mbahen, e njohës të çështjeve juridike kërkojnë që ato të mbahen. E nga Qeveria thonë se duhet një vlerësim nga institucionet e sigurisë për të vendosur për hapat e mëtejmë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve as të mërkurën nuk e ka mbajtur mbledhjen në të cilën kishte paralajmëruar një ditë më herët.

Në këtë mbledhje të paraparë ishin një mori pikash për tu diskutuar, në mesin e tyre edhe vendimi i anëtarëve të KQZ për qendrat votimit për zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi ka njoftuar se mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Sipas tij, KQZ është në përgatitje të materialeve për mbledhjeje.

Megjithatë, në Institutit Demokratik të Kosovës thonë se rrethanat aktuale nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovë.

Sipas, Eugen Cakollit nga ky institut, përveç elementeve tjera të cila e pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve atje, as KQZ-ja, edhe pas pesë muajsh nuk ka arritur të caktojë qendrat e votimit se ku do të votojnë qytetarët.

"Kur kanë mbetur më pak 10 ditë para procesit zgjedhor, ende nuk dihet saktë e qartë se ku do të zhvillohet procesi i voitimit dhe në cilat qendra, KQZ-ja do të ketë qasje e në cilat jo, e mbi të gjitha ose nëse do të përdoret një model alternativ për të mbajtur procesin zgjedhor apo jo...", thotë Eugen Cakolli nga KDI-ja.

Mos aplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje, është thënë se rrezikon mbarëvajtjen dhe legjitimitetin e gjithë procesit.

Megjithatë, kështu nuk po mendon Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike. Ai thotë se një votë më tepër është demokraci.

"Marrin pjesë ata që dëshirojnë ta ushtrojnë drejtën e tyre demokratike dhe qytetare, dhe fiton më i miri një votë më tepër është demokraci dhe këtu nuk ka dilema as mëdyshje se po cënohet demokracia...", thotë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike.

Për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat veriore ka folur edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ajo tha se u mbetet institucioneve të sigurisë që të vlerësojnë situatën, e më pas Qeveria do të marrë vendim për zgjedhjet.

“Sa i përket zgjedhjeve në veri, ne i bindemi kërkesave të KQZ-së dhe vendos në bazë të rekomandimeve të institucioneve të sigurisë. Në momentin që do të kemi informacione të tilla,

atëherë do të japim qëndrimin tonë. Në momentin që institucionet e sigurisë do të thonë që nuk duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë Qeveria do të vendos”, thotë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi serbët në veri, dhanë dorëheqje kolektive nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, përfshirë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.


MË SHUME NGA Kosovë