Kurti takoi të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës
BKT
Kosovë

Kurti takoi të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, gjatë vizitës në organizatën joqeveritare “Medica Gjakova”.

Bëhet e ditur se mbështetja për të mbijetuarat për të gëzuar të drejtat e tyre dhe destigmatizimi i dhunës seksuale, ishin në qendër të takimit të përbashkët me ish- presidenten Atifete Jahjaga dhe drejtoreshën e "Medica Gjakova", Mirlinda Sada.

“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë për përkrahjen e pakushtëzuar të familjeve dhe shoqërisë, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale. Duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me organizatat, për procese të drejtësisë tranzicionale që janë gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, Kryeministri Kurti veçoi Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend. Ai theksoi se gjatë muajit të ardhshëm do të dalë në konsultime publike Strategjia Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.

Kreu i qeverisë tha se hetuesit dhe prokurorët që punojnë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet shtuar angazhimin e përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

Ai shtoi se për këtë Qeveria ka shtuar buxhetin për të rritur kapacitetin për të trajtuar krimet e luftës, duke shtuar buxhetin për 4 prokurorë, 6 profesionistë dhe 2 përkthyes për rastet e krimeve të luftës. Ndërsa, në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda me 19 zyrtarë, me strukturën e re të miratuar, është ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës, e cila do të ketë 41 hetues.

Bëhet e ditur se u bisedua për procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe trajtimin konfidencial të informacionit nga Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

“U theksua se Qeveria i ka vazhduar mandatin këtij Komisioni deri në 2025, ndërsa ka dërguar në Kuvend Ligjin për vazhdimin e procesit të aplikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Në takim u theksua angazhimi i përbashkët i institucioneve, Komisionit Qeveritar dhe organizatave të shoqërisë civile, për të krijuar hapësirë që të mbijetuarit të flasin lirshëm për rastet e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte nga Serbia”, thuhet në këtë njoftim.


MË SHUME NGA Kosovë