Sot ishte ditë mësimi në Prishtinë, por shumë pak nxënës e vijuan|Video
Fatos Cervadiku /RTK
Në shkollat fillore në kryeqytet të shtunën ishte ditë mësimi.
Komuna e Prishtinës kishte vendosur që pushimi për festën zyrtare të 11 prillit për Pashkët Katolike të zëvendësohej sot.
Por, në shkollat e Prishtinës, interesimi për ta ndjekur këtë të shtunë mësimin ishte i vogël.
Drejtoresha e shkollës Ismail Qemali, tha se të gjithë mësimdhënësit ishin të pranishëm, derisa nxënës vetëm 21.
Numër i vogël i nxënësve për t'i zëvendësuar orët ishte edhe në shkollën "Pavarësia".
Fitim Ahmeti, i cili solli fëmijën e tij në mësim, tha se ai vetëm mund të përfitojë nga mësimi, andaj nuk ka hezituar ta sjellë edhe sot në shkollë.
Nga shkolla "Pavarësia" thanë se mësimi është mbajtur pjesërisht dhe se edhe këtu kishte numër të
vogël të nxënësve.
Kurse, një ditë më parë, Këshilli i Prindërve të Kosovës, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se çdo vendim për mësim të obligueshëm të shtunave (ose çfarëdo dite pushimi ose feste zyrtare) është i dëmshëm, i kundërligjshëm dhe i shkelë të drejtat e fëmijëve.
RTK lidhur me këtë, gjatë ditës i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Arsimit, por që nuk ka marrë përgjigje.























