Rruga me 15 pengesa, pa asnjë shenjë paralajmëruese/Video
Besnik Iseni/RTK-Tetovë
Rruga që shpie në komunën e Tetovës nga Glloboçica ku është edhe vendkalimi kufitar me Kosovën, ka 15 pengesa të cilat pamundësojnë zhvillimin e shpejtësisë së madhe. Por, kur janë vendosur ato pengesa, nuk janë vendosur edhe shenjat e komunikacionit që tregojnë se ka pengesa në rrugë, të cilat po e vështirësojnë qarkullimin.
"Pengesat për ngadalësimin e shpejtësisë nuk kanë shenja paralajmërimi. Gjatë kohës kur ka mjegull, ato nuk duken, dhe krijojnë edhe më shumë rrezik për vozitësit", deklarojnë edhe vozitësit.
Pengesat në rrugë janë vendosur me kërkesë të banorëve të fshatit Xhepçisht. Qytetarët thonë se nga vozitja e shpejtë kanë humbur jetën shumë banorë të këtij fshati, prandaj edhe i kanë vendosur ato, si domosdoshmëri.
Ekspertët e komunikacionit, ndërkaq vlerësojnë se barrikadat në rrugë nuk janë vendosur sipas standardeve. Sipas tyre, zgjidhja më e mirë do të ishte ndërtimi i një unaze, për të shmangur trafikun përmes fshatrave.
Aksi Tetovë-Glloboçicë është një prej rrugëve më të frekuentuara në Maqedoninë e Veriut. Brenda një dite qarkullojnë deri në 10 mijë automjete.























