Nesër nis betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri|Video
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Nesër nis betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri|Video

Visar Shatrolli/RTK

Na ndajnë më pak se 24 orë nga betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut. Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Për betimin që do të ndodhë nesër, ka folur edhe sot ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas një takimi me kryeministrin Kurti.

Ambasadori amerikan përcolli porosinë e Shteteve të Bashkuara se nuk është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave që mund të mos jenë të qasshme.

Me një pikë të rendit të ditës, të premten pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri. Për këtë dhe dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti mbrëmë pati një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kurti e Chollet, me theks të veçantë, folën për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike.

Po ashtu, ata biseduan edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.

Në komunikatën e qeverisë thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Për konstituimin e kryetarëve të komunave veriore sërish ka folur ambasadori i SHBA-ve në Kosovës Jeffry Hovenier.

Ambasadori ka thënë se duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që qojnë në rritjen e tensioneve në veri. "SHBA-ja nuk mendon që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave", ka theksuar ambasadori Hovenier.

Megjithatë kryetari i cili pritet ta bëjë betimin nesër, ka qenë i paqasshëm për medie.

Të premten pritet ta bëjë betimin kryetari i zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit Erden Atiq. Por, për atë se si do rrjedhë procesi i konstituimi të kryetari të kësaj komune, Atiqi nuk pranuar të deklarohet para mediave.

Sikurse ky edhe tre kryetarët të tjerë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në veri nuk kanë dashur  të prononcohen për media.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq. Duke dashur ta paraqesë situatën në veri të rëndë, ai është shprehur i shqetësuar për të nesërmen dhe gjithçka që vjen pas së nesërmes.

Por të kundërtën e mendojnë njohësit e sigurisë në Kosovë.

"Mendoj që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe do të ketë renë siguri, e qetësi, por edhe në rast të incidenteve, Policia e Kosovës me gjithë subjektet tjera që janë aty, do të marrin masa me qëllim që situata mos të eskalojë", tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Por si shihet legjitimiteti i zgjedhjeve në katër komunat veriore sipas deklarimeve të faktorit ndërkombëtar?

“Partnerët ndërkombëtarë i ka konsideruar zgjedhjet në veri të drejta dhe të ligjshme por që në faza të ndryshme me deklarata po e kontestojnë legjitimitetin e atyre zgjedhjeve”, thotë Ehat Miftaraj nga IKD.

Ndërkohë, nga institucionet e Republikës së Kosovës kanë thënë se kryetarët e rinj do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë