Kuvendi i Kosovës, pjesë e sesionit të 10 të AP të SEECP-së
A.B/RTKlive
Delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, po merr pjesë në punimet e sesionit të 10 plenar në Budvë të Malit të Zi.
Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP të SEECP), kryesuar nga deputetja Fitore Pacolli Dalipi dhe në përbërje të deputetëve: Mefail Bajqinovci dhe Vlora Dumoshi, anëtarë të delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble, po merr pjesë në punimet e Sesionit të 10-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP-së) cili ka filluar dje punimet në Budva të Malit të Zi.
Ky sesion i hapi punimet e tij me takimet e Komisioneve të Përgjithshme. Takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Siguri në AP të SEECP, e kryesoi deputeti Mefail Bajqinovci, Kryetar i Komisionit dhe takimin e Komisionit për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, e kryesoi deputetja Vlora Dumoshi, Kryetare e Komisionit.
Takimet e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji dhe Komisionit të Përhershëm qendror të AP të SEECP-së u kryesuan nga Mali i Zi. Në këto dy takime Kuvendi i Kosovës u përfaqësua nga deputetja Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Kosovës në AP të SEECP-së.
Gjatë takimeve, Kryesuesit e Komisioneve të Përgjithshme të AP të SEECP-së deputetët Mefail Bajqinovci dhe Vlora Dumoshi, kanë udhëhequr punën e Komisioneve dhe kanë prezantuar raportet e përgatitura nga Kuvendi i Kosovës, ku përveç prezantimit dhe miratimit të raporteve u votuan dhe kandidaturat për tri komisionet e përgjithshme. Me konsensus u vendos që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë udhëheqjen me këto dy komisione edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa Maqedonia e Veriut do të udhëheqë me Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Përhershëm u përcaktua teksti i deklaratës përfundimtare. Gjithashtu, u miratua rendi i ditës së seancës plenare të AP të SEECP-së, programi i punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP-së për vitet 2023-2024, si dhe u propozuan dhe diskutuan çështje të tjera procedurale.
"Sesioni i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore do të vazhdojë edhe sot me një seancë plenare me temën "10 vjet AP e SEECP. Dekada e ardhshme për integrim më të mirë dhe perspektivë më të qartë evropiane e rajonit të SEECP. Së bashku në SEECP – Së bashku në BE”", njofton Kuvendi i Kosovës.























