UNDP-ja vazhdon të ndihmojë Policinë e Kosovës
N.Mekolli /RTKlive
Policia e Kosovës ka pranuar një donacion, nga UNDP-ja, për avancimin e kapaciteteve policore në detektimin e eksplozivëve.
“Siguria është një nga elementet kryesore për çdo shoqëri në botë. Të qenit në gjendje të jetojmë dhe të funksionojmë lirshëm dhe pa frikë nga krimi, është në interes të çdo qytetari, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca apo feja. Prandaj, çdo rrezik për sigurinë, dëmton rëndë parimet themelore të të drejtave dhe lirive të njeriut. Pavarësisht përparimeve teknologjike dhe zhvillimeve njerëzore, armët e zjarrit dhe eksplozivët përfshirë prekursorët e tyre vazhdojnë të jenë një rrezik i madh për sigurinë e popullatës”m thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se donacioni i sotëm i pajisjes së specializuar të quajtur Ground Penetration Radar (GPR) për Policinë e Kosovës do të jetë një ndihmesë e madhe që edhe më tutje dhe së bashku me autoritetet dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës që janë duke zbatuar me sukses Udhërrëfyesin Rajonal për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor si dhe strategjitë e tjera kombëtare që kontribuojnë në rritjen e sigurisë së përgjithshme në vendin dhe rajonin tonë.
“Radari i depërtimit në tokë (GPR) që sot po pranojmë donacion është një teknologji e përdorur nga policia në përgjithësi për të zbuluar objektet që janë të groposura nën tokë. Shpesh përdoret nga forcat e rendit për të kërkuar armë të groposura në tokë, municion, eksplozivë, drogë dhe sende të tjera të paligjshme”, thuhet tutje në njoftim.
Policia së Kosovës me këtë rast ka falënderuar UNDP-në dhe donatorët e tjerë për mbështetje dhe bashkëpunim si dhe mbështetje për zbatimin e projekteve që derivojnë nga Udhërrëfyesi Rajonal për kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta që zbatohet nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimorë.


























