Aktivistët për të drejtat e kafshëve kërkojnë llogari për vrasjen e qenve
N.M. /RTKlive
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka reaguar lidhur me vrasjen e një qeni endacak, nga një person i panjohur, të dielën, në oborrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Bëhet e ditur se rasti është lajmëruar në Polici, nga dashamirësit e kafshëve dhe po ashtu nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, e cila ka kërkuar llogari nga Policia që të kuptohet se kush gjuan me armë zjarri në mes të Kryeqytetit.
“Dhuna ndaj kafshëve sjell më shumë incidente dhe duhet të ndalet! ... Ky incident shërben si një rikujtim i fortë se dhuna ndaj kafshëve ka pasoja të gjera. Dhuna prish ekuilibrin delikat brenda tufës së tyre, duke krijuar një atmosferë frike dhe stresi që mund të çojë në incidente të papritura”, thuhet në reagimin e kësaj organizate, të postuar në rrjetet sociale.
Sipas Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, qentë potencialisht agresivë duhet të lajmërohen në Komunë të Prishtinës që pastaj operatorët ekonomik të kontraktuar nga Komuna të shkojnë tek vendi i ngjarjes që ta largojnë nga rruga ndonjë qen endacak me sjellje agresive ndaj njerëzve, por asesi të lejohet “qentë të vriten nga frustrimi apo paragjykimi ndaj ndonjë qeni të rrugës”.
Gjithashtu, bëhet e ditur se me rastin po merret Prokuroria, e cila ka ndalur në vendin e ngjarjes.