Sfidë mbetet përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në arsim|Video
Foto: RTKlive
Kosovë

Sfidë mbetet përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në arsim|Video

J.Musliu/RTKlive

Fëmijët kosovarë që janë me aftësi të kufizuara, ballafaqohen me probleme të shumta kur vjen çështja tek arsimimi i tyre. Barrierat ndaj tyre nisin që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, e ku përfshihen nga vështirësitë për të lëvizur, meqë nuk kanë qasje të lehtë e deri tek bulizmi.

Prandaj, përfshirja e më shumë personave me aftësi të kufizuara në arsimin kosovar, ishte një nga temat e diskutuara sot në programin e mëngjesit në RTK. “Mirëmëngjesi Kosovë”.

Afrim Maliqi nga “Handakos” deklaroi se arsimimi për të gjithë është i rëndësishëm, por situata e fëmijëve me aftësi të kufizuar, sot në Kosovë,  nuk është e lakmueshme.

“Përfshirja e fëmijëve  më aftësi të kufizuara në sistemin arsimor fillor në Kosovë është vetëm rreth 12%”, tha Maliqi. Ai sqaroi e shoqata ka pritur rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, por sipas tij, ky numër është vetëm për ata që janë aktualisht në bankat shkollore.

“Duhet mbështetur fëmijët që nuk janë në shkolla sepse familjet kanë probleme të ndryshme”, tha ai. “Në bazë të ligjit, obligohen të gjitha familjet t’i çojnë fëmijët në shkollë. Por familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, ligji  nuk i obligon sepse po t’i obligonte, atëherë do të duhej që shteti të ofronte ndihmë”, tha ai.

Sipas Maliqit, personat e tillë ende në Kosovë shihen nga këndi bamirës ose ai mjekësor.

Afërdita Gashi nga Grupi i Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, e cila edhe vetë është nënë e një fëmije në situatë të tillë, tha se të gjithë prindërit që kanë  fëmijë me aftësi të kufizuara, sfidat i kanë pa ndërprerë, gjatë 24 orëve dhe shtatë ditëve të javës.

“Jo vetëm kur do t’i dërgojnë në shkollë, por gjatë tërë kohës”, tha ajo.

Gashi u shpreh se që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, prindërit kanë sfida të tilla. “Nuk ka rampa, qasje fizike, hyrje në shkolla, ballafaqim me fëmijë të tjerë, bullizëm, paragjykim brenda shkollës etj”, përmendi ajo disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen.

“Në fakt, ka filluar pak të evitohet kjo situatë por ende  ekziston”.

Gashi u shpreh se fëmijët me aftësi të kufizuara, nuk kanë mësuese mbështetëse, e prindi duhet të rrijë gjashtë apo shtatë orë, të bëhet pjesë e shkollës e ndihmëse e mësueses.

Ajo sqaroi se shteti ka ofruar 100 asistentë në vitin e kaluar dhe 300 për vitin tjetër. “Për Prishtinë janë vetëm 12 asistentë”, tha ajo, duke shtuar se kërkesa është e madhe. “Për shembull vetëm një shkollë si ‘Ismail Qemal’, ka  42 fëmijë me aftësi të kufizuara”.

E nga ane saj, Luljeta Kabashi nga MASHT-i, tha se Ligji për Arsim Parauniversitar nuk përjashton asnjë kategori për përfshirje në arsimim.

“Por kushtet dhe vështirësitë në teren janë evidente e sidomos atyre që kanë vështirësi më të theksuar”, tha Kabashi. Sipas saj, deri tani rolin e asistentit e kanë bërë  mësimdhënësit ose vetë prindërit. “Por tani situata është pak e përmirësuar edhe pse jo tërësisht”, tha ajo. “Ka shumë fëmijë që janë të pavlerësuar e pa kategorizuar”.

Ajo sqaroi se fëmija ka të drejtë të shkojë në shkollën më të afërt ku jeton.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë