Evidenca të pakorrigjuara|Video
Arlinda Sejda / RTK
Mungesa e një databaze ka bërë që shumë qytetarë të privohen nga shumë të drejta për të aplikuar për punë, apo për t`u pajisur me dokumente të tjera si pasojë e mosheqjes së emrit të tyre nga evidenca e policisë, rrjedhimisht dokumentin që janë apo nuk janë nën hetime.
Megjithatë, tek në dhjetorin e vitit të kaluar, mes Këshillit Gjyqësor dhe Policisë ka nisur një bashkëpunim, por që rezultatet ende nuk vërehen.
Tash e dy dekada, qytetarë të shumtë të cilët kanë shkelur ligjin, mirëpo janë shpallur të pafajshëm, nuk po mund të pajisen me certifikatë që dëshmon se nuk janë nën hetime. Me një situatë të njëjtë është përballur edhe një qytetar, i cili në kushte anonimiteti i ka thënë RTK-së se nuk po arrin të aplikojë për vizë pune në mungesë të këtij dokumenti.
Një databazë e përbashkët të drejtësisë ku do të figuronin rastet e pazgjidhura dhe rastet e zgjidhura do të lehtësonte këtë procedurë për shumë qytetarë, të cilët po ballafaqohen me këtë çështje tash e sa vite.
Avokati Naim Rudari thotë se ka shumë lëshime nga ana e institucioneve, por kjo vjen edhe si rezultat i neglizhencës.
“Ka detyrim ligjor, prokuroria për njoftimin e policisë që ka hedhë kallëzimin penal , por sido që të jetë nëse prokuroria nxjerr një aktvendim do të duhej të njoftonte prapë policinë dhe nëse një person është future nën hetime automatikisht të fshihet nga ai hetim. Në këtë fazën e hetimit nuk do të duhej të futej fare, sepse hetimi është një diçka për të vlerësuar a ka vepër penale apo s’ka”, theksoi Naim Rudari, avokat
Nga Prokuroria thonë se në afat prej tetë ditësh i njoftojnë palët dhe institucionet për vendimet dhe pushimin e hetimeve.
“Më pas në këtë rast kur kemi policinë e Kosovës parashtrues të kallëzimeve penale në momentin që prokurori nxjerr aktvendim për hedhje të kallëzimit penal e njofton edhe këtë institucion me këtë aktvendim, ku më pas të njëjtin janë të obliguar të shlyejnë nga evidence e tyre të subjekteve të cilat kanë qenë nën hetim”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje me shkrim, ka njoftuar se nga dhjetori i vitit të kaluar ka funksionalizuar Sistemin Qendrore të Evidencës Penale dhe ka filluar me sistemin e ri të certifikatave mbi dënimet penale.
KGJK është duke zhvilluar kontakte të rregullta me Policinë e Kosovës, me qëllim të adresimit të problemit të shlyerjes së dënimeve të qytetarëve nga evidenca e Policisë dhe sipas informacioneve ditore të cilat i kemi, ky problem po vjen duke u reduktuar në masë të madhe. Gjithashtu, për këtë qëllim, ne me Policinë jemi duke shkëmbyer rregullisht të dhëna për personat e dënuar, me qëllim të shlyerjes nga evidenca e Policisë, pas procesit rehabilitues të tyre.
Në tërë këtë proces, qytetarët mbesin të penalizuar, duke mos arritur t’i realizojnë të drejtat e tyre për t`u pajisur me certifikata.























