RTK përgjatë komunave në veri |Video
Donika Sherifi/RTK
Nën tenda të ulur e me muzikë pothuajse gjatë gjithë kohës. Nuk munguan as lojërat e ndryshme.
Kështu ishte dita e martë në komunën e Leposaviqit për protestuesit serbë. Ata vazhduan për të 12-ën ditë protestën, e cila u mbajt në mënyrë të qetë, pa incidente e provokime.
Para komunës, ku po qëndron gati për dy javë kryetari i zgjedhur, Lulëzim Hetemi, vazhdojnë të qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Edhe në komunën tjetër veriore, në Zveçan, situata të martën ishte e qetë. Për dallim prej Leposaviqit, në këtë vend kishte më pak protestues. Ata qëndrojnë në tendat e ngritura që nga dita e parë. Madje këtu shihej një numër më i vogël i trupave paqeruajtëse të KFOR-it.
Para objektit komunal vazhdojnë të qëndrojnë mjetet e blinduara të Policisë së Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk deshi të flasë për media për detaje të takimit, por ato i ndau vetëm me protestuesit.
Situatë e qetë dhe stabile ishte edhe në komunën e Zubin Potokut. Edhe këtu të martën nuk është se pati numër të madh protestuesish, për dallim prej ditëve të tjera.
Gazetari Branislav Krstiq thotë se protestuesit do të largohen brenda pak ditësh, sikurse policia, pasi sipas tij, ndërkombëtarët kanë shtuar presionin te palët.
“Kurti e Vuçiq po bëjnë lojë, kurse Amerika është më serioze dhe më e ashpër se kurrë, dhe frika nga sanksionet do të prodhojë marrëveshje”, thotë Krstiq. Edhe njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, pret që presioni i ndërkombëtarëve të japë rezultate.
Nga 26 maji, qytetarët serbë në veri po protestojnë në tri komunat veriore, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.