Domatet nga Shqipëria rezultojnë brenda parametrave të lejuar për konsum
Valjete Shala / RTK
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot ka pranuar rezultatet e mostrave të domateve me origjinë nga Shqipëria, të dërguara në një Laborator të kontraktuar, kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar për konsum.
Këtë e ka bërë të ditur për RTK-në Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Testet i ka realizuar një Laborator i akredituar në Bullgari. Të gjitha mostrat kanë rezultuar brenda limiteve sipas rregullores se BE-së Nr.369/2005 r . D.m.th prezenca e kontaminuesve kimik është brenda normave ose limiteve të cilat janë të lejuara për konsum dhe nuk paraqesin rrezik. Mostrat janë testuar në të gjitha llojet e pesticideve”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka sqaruar se përveç kontrollit të rregullt zyrtar bazuar në plan me bazë rrisku, pas publikimit të informatave për dyshime të mbetjeve të pesticideve në domate, dhe përveç mostrave të testuar në Laboratorët vendore, kanë dërguar mostra edhe jashtë vendit për testime me metoda konfirmative. Të cilat sipas tij kanë hequr dyshimet për prezencë të pesticideve mbi normat e lejuara.
“Për këto dyshime asnjëherë nuk ka pasur komunikime zyrtare nga mekanizmi i BE-së RASFF”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit kontrollet e rregullta do të vazhdojnë mbi të gjitha ngarkesat sipas planit.
“Kemi bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Shqiptar të Ushqimit. Ne kohë reale shkëmbejmë informata për të gjitha produktet ushqimore qe tregtohen mes dy vendeve. Konsumatorët duhet të ndihen të sigurt për produktet qe kontrollohen nga AUV. Gjithmonë ndërmarrim të gjitha veprimet për të hequr secilin dyshim qe paraqitet”, ka përfunduar sqarimin Thaçi.























