Më pak protestues, e më shumë qetësi në veri |Video
Edona Podvorica/ RTK
Veriu i vendit edhe sot ishte i qetë. Ajo që ka karakterizuar ditët e fundit ka qenë numri gjithnjë e në rënie i protestuesve.
Megjithatë, me ta po vazhdojnë të qëndrojnë përfaqësues të Listës Serbe të cilët edhe sot u panë në komunën e Zveçanit. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, po vazhdon qëndrimin në objektin e komunës.
Kështu, e hëna e kësaj jave e gjeti veriun me numër relativisht të madh protestuesish. Por përgjatë javës, numri i tyre ka shkuar duke rënë.
Zveçani, që ditë me pare ishte epiqendra e dhunës, ka gjetur qetësinë. Pak protestues pati sot. Mes tyre ishin si rëndom edhe drejtuesit e Listes Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.
Muzika i argëtoi protestuesit gjithë ditës. Ndërkohë e gjithë rruga që qon në Leposaviq përshkohet nga patrullat e policisë së Kosovës.
E objektin e kësaj komune vazhdojnë ta ruajnë ushtarët e KFOR-it.
Veçse ditët e fundit, situata e qetë ka bërë qe edhe numri i këtyre trupave të jetë më pak i pranishëm.
Krejt pak protestues pati në mesditë. Disa prej tyre zgjodhën të rrinin edhe sot nën tenda e të tjerë luanin volejboll.
Ndërkohë në komunë për 12 ditë po qëndron kryetari Lulzim Hetemi, i cili refuzon te flasë të pranojë gazetarë në zyrën e tij.
Edhe Zubin Potoku prej ditësh është i qetë. Pak policë shihen në perimetrin e sigurisë të vendosur para objektit të komunës, por numri i tyre nuk është zvogëluar.
Edhe flamuj serbë ka më pak në objekte kurse mbrapa gjenden autoblindat e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë gjatë gjithë ditës ushtarët turq të KFOR-it kanë patrulluar nëpër qytet.























