Osmani e Rohde flasin gjendjen në veri dhe koordinim me partnerët
F. Sertolli / RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Në një njoftim për media nga presidenca e Kosovës, thuhet se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit.
Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme.
Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.























