Prekazin e lirisë, në Ditën e Çlirimit, e viziton edhe lokja 93 vjeç
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Prekazin e lirisë, në Ditën e Çlirimit, e viziton edhe lokja 93 vjeç

Valjeta Shala/RTK

Në Ditën e Çlirimit, Prekazi mbetet një nga adresat kryesore ku qytetarët i drejtohen për ta vizituar e për ta përjetuar rëndësinë e të qenit të lirë.

Madje vizita në këtë vend, sjell emocione të njëjta, pavarësisht sa herë vizitohet, sikurse për 93 vjeçaren, Sheride Hasani, e cila për herë të dytë të hënën me 12 qershor, e vizitoi Prekazin.

Ajo thotë se i përjetoi tri luftëra gjatë jetës së saj. Ende i ka të freskëta kujtimet për momentin kur kuptoi si sot 24 vjet më parë se Kosova u çlirua.

“Kur është çliruar Kosova, sa gëzimin e kam pas moj bijë, se kemi heq boll. Kemi mbajt refugjatë e kemi gatu. Kemi pa e kemi digju boll. Shyqyr Amerika u bo sebep e na shpëtoi”, thotë nënë Sheridja.

E për Muhabi Hasanin, një vizitor tjetër, Prekazi është vend legjendar. “Është  Meka e shqiptarëve. Kanë sakrifikua shumë. Kanë dhanë shumë për të gjithë shqiptarët”, thotë Muhabi për RTK-në.

Për nder të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, edhe krerët më të lartë të shtetit bënë homazhe në Prekaz.

Por për shkak të reshjeve të shiut, Prekazin këtë vit e vizituan më pak qytetarë. Sidoqoftë,  nuk munguan as vizitat nga nxënësit sikurse atyre nga Presheva.

 “Vijmë nga Presheva në kuadër të vizitave të ekskursionit. I gëzohemi Ditës së Paqes, është krenari e madhe ta vizitojmë këtë vend të larë me gjak”, thotë Musli Rashiti, profesor në shkollën e mesme ‘Selami Hallaçi’ në Preshevë.

12 qershori e cila njihet si Dita e Çlirimit por që zyrtarisht quhet Dita e Paqes, shënoi kthesën më të madhe në historinë e Kosovës, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë kurse ato serbe dolën nga Kosova.


MË SHUME NGA Kosovë