Situatë e qetë në veri të Kosovës
J.Musliu/RTKlive
Informacionet e fundit nga veriu i Kosovës flasin për situatë të qetë, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës, e cila ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e strukturave paralele të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”.
Ai ka qenë një nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Zveçan, që ndodhi javë më parë.
Për këtë arsye, siç raportoi gazetarja e RTK-së, nga Mitrovica e Veriut, Edina Avdiu, në emisionin informativ “Info Plus”, rreth orës 12:00, është lëshuar alarmi duke bërë që disa qytetarë serbë të mblidhen në shenjë proteste.
Ajo tha se qytetarët serbë janë mbledhur në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut.
Gjatë arrestimit të këtij personi, tre policë janë lënduar lehtë, kurse protestuesit kanë brohoritur kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe të cilët i kanë quajtur tradhtarë.
Gazetarja deklaroi se tani situata është e qetë dhe protestuesit tashmë janë shpërndarë, kurse shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës që po kujdesën për rend e siguri.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Milenkovic ishte një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësi i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Kosovës.























