Ribeiro e shqetësuar për sulmet e fundit ndaj mediave në Kosovë
BKT
Kosovë

Ribeiro e shqetësuar për sulmet e fundit ndaj mediave në Kosovë

J.Musliu/RTKlive

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias,  Teresa Ribeiro, ka reaguar ndaj sulmeve të fundit mbi gazetarët dhe ekipet e mediave në veri të Kosovës.

"Liria e shtypit është gurthemeli i demokracisë”, deklaroi ajo në një postim në llogarinë e saj në Twitter.

“Sulmet e fundit të dhunshme ndaj mediave në veri të Kosovës janë thellësisht shqetësuese”.

Ajo deklaroi se çdo gazetar meriton të punojë pa frikë dhe pengesë. “Mjedisi i lirë dhe i sigurt për media, duhet të jetë i garantuar në çdo kohë”.

Policia e Kosovës njoftoi se sot ka arrestuar edhe një të dyshuar i cili në Leposaviq, me 16 qershor, ka sulmuar fizikisht ekipet e mediave që raportonin nga atje.

Policia konfirmoi se arrestimi i këtij personi, shtetas i Kosovës i përkatësisë etnike serbe, ka të bëjë me sulmin në veçanti ndaj ekipit të RTK-së, dhe kameramanit Bardh Bekteshi, i cili godit me shqelma dhe pajisjet e tij të punës si kamera, u thye.

 


MË SHUME NGA Kosovë