Mot i nxehtë në ditën e verës
V. Thaçi / RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për të mërkurën ka parashikuar mot me diell dhe rritje të lehta të temperaturave, atyre minimale, dhe ato maksimalet.
Sipas Institutit në orët e para të ditës në shumë zona parashihet të formohet mjegulla e radiacionit, por do të jetë e paqëndrueshme, pasi gjatë ditës do të jenë prezent rrezet e diellit.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë celsius ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare.
Tutje Instituti apelon për kujdes që në orët e pikut nga ora 11:00 deri në 17:00 të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit, sidomos moshat e shtyra dhe personat që kanë probleme me sëmundje kronike, si tension, frymëmarrje, sëmundje kardiologjike etj.
E sot do të fillojë stina e verës astronomike në orën 16:57 dhe do të zgjasë deri me 23 shtator në orën 8:49.
Po sot, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon se do të ndodhë solstici veror, ku do të jetë dita më e gjatë e vitit dhe nata më e shkurtër.























