ARBK-ja anulon vendimin për suspendimin licencës për ‘Klan Kosova’
M.Miftari/ RTKlive
Televizioni Klan Kosova, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve – ARBK, përmes një vendimi zyrtar, ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit ndaj këtij mediumi.
“Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka shfuqizuar vendimin e saj për suspendimin e certifikatës së biznesit”, bëri të ditur Klan Kosova.
Klan Kosova nëpërmjet një shkrese ka falënderuar të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe shprehjes, ambasadat, si dhe kolegët gazetarë që i dolën në mbështetje në këtë proces.
Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga publikimi i këtij vendimi, kishte ngritur shqetësimin për veprimin e MINT-it, dhe e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat.























