Komisioni ratifikon marrëveshjen për të burgosurit nga Danimarka
BKT
Foto: Albulena Haxhiu/Facebook
Kosovë

Komisioni ratifikon marrëveshjen për të burgosurit nga Danimarka

Edona Podvorica/RTK

Komisioni për Legjislacion ratifikoi Traktatin për strehimin të të burgosurve nga Danimarka, marrëveshje kjo e nënshkruar ndërmjet të dyja vendeve dy vjet më parë.

Ky Traktat mes Kosovës dhe Danimarkës përfshin shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve të shtetit danez.

Me vota 8 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim anëtarët e Komisionit për Legjislacion i kanë thënë ‘po’ marrëveshjes e cila parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim celi në burgun e Gjilanit ku do të vuajnë dënimin të dënuarit për vepra penale në këtë shtet.

Para deputetëve, ministrja e Drejtësisë e arsyetoi marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2021.

“Qëllimi i këtij traktati është rritja e bashkëpunimit me këtë shtet, përmes këtij traktati zhvillon edhe me tej sistemin korrektues në vend. Ky traktat përveç ekzekutimeve të ligjeve danezë, fuqizoj standardet evropiane të sistemit korrektues”, tha Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

“Duke marr parasysh që Danimarka ka një bashkëpunim të mirë me Kosovën për këtë kemi vendosur që të nënshkruajmë këtë traktat”.

Deputetët në anën tjetër pyetën ministren Haxhiu për mënyrën e zbatimi të kësaj marrëveshjeje.

“Mua më intereson se çka përfiton Kosova nga kjo marrëveshje, të dënuarit që vijnë asnjëri nuk është danez a ju shkelen të drejtat. Cilat natyra të veprave janë atë, a shkelen të drejtat e të burgosurve tonë”, tha Hajdar Beqa, anëtar i Komisionit për Legjislacion.

“Nuk është obligimi i Kosovës sepse burgu i Gjilanit do të menaxhohet nga Mbretëria e Danimarkës, dhe Kosova nuk e ka asnjë obligim në transferim”, tha ministrja Haxhiu.

“Nëse një shtet mik ka kërkuar një nder në po ia bëjmë një nder, nuk po shoh arsye që Kosova të lëshojë burgje me qira. Në parim nuk është që kemi diçka kundër, por duhet që të shihet me kujdes se si do të trajtohet pastaj kjo”, tha Driton Selmanaj, anëtarë i Komisionit për Legjislacion.

Nga zbatimi i këtij Traktati, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro, 30 milionë euro do të shkojnë për energji të ripërtërishme dhe pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Haxhiu po ashtu tha se shteti ynë nuk ka obligime në transferimin e të burgosurve pas vuajtjes së dënimit.


 


MË SHUME NGA Kosovë