Testit i Arritshmërisë, Rexhaj: Problem administrimi i procesit
BKT
Kosovë

Testit i Arritshmërisë, Rexhaj: Problem administrimi i procesit

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që Testi i Maturës dhe ai i Arritshmërisë të pezullohen dhe në rast se kjo nuk ndodh,  ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre. Ndërkaq, njohës të arsimit vlerësojnë se mbajtja e këtyre testeve është e nevojshme, por se problem vazhdon të jetë administrimi i procesit dhe hartimi i pyetjeve në teste.

Pas keqmenxhimit të procesit të mbajtjes së testit të Maturës dhe atij të Arritshmërisë, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka vlerësuar se këto teste  vazhdojnë të jenë të pavlera e të dëmshme për fëmijët, dhe në rast se nuk pezullohen, kanë paralajmëruar bojkotimin e tyre.

“Ndërsa i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t'iu shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve. Testi i Maturës dhe i Arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë. Ato teste janë shembuj konkretë se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë ‘paushalli’ i politik-bërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë. Më e pakta është që ato teste të pezullohen. Ndryshe, vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre, thuhet në reagimin e këshillit.

E, njohës të arsimit po vlerësojnë se organizimi i këtyre testeve duhet të vazhdojë, por se problem është tek administrimi i procesit të testimit. Xhavit Rexhaj tha për Radio Kosovën se këto teste duhet të organizohen për shumë arsye.

“ Mendoj që edhe testi i Maturës dhe ai i Arritshmërisë kanë arsye të forta pse duhet të organizohen. Dhe gjithsesi mendimi im është që duhet të organizohen. Problemi është një, tek administrimi i testit dhe dy, te një kulturë e cila është krijuar në Kosovë që përmes mashtrimit të arrihen qëllimet që dikush i projekton se do të jetë i suksesshëm pas asaj”, tha ai.

Rexhaj, shtoi se njëri ndër problemet është hartimi i pyetjeve të mbyllura i cili po u krijon mundësi të mëdha nxënësve për të kopjuar dhe këtu ka nevojë për ndryshime.

“Konsideroj së është gabim mënyra se si po bëhen pyetjet. Kur pyetjet janë të mbyllura, me alternativë është shumë lehtë të kopjohet. Ndërsa me pyetje të hapura është shumë më vështirë të kopjohet. Dhe mendoj që një prej zgjidhjeve të problemit të administrimit është që të këtë më shumë pyetje të hapura në teste”, tha Rexhaj.

Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në Kosovë përdoret si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, të cilët  vazhdimisht po përcillen me parregullsi të shumta gjatë procesit të mbarëvajtjes. Nxënësit vazhdimisht  arrijnë të kopjojnë, e në shumë raste  ndodh që testi të shpërndahet edhe nëpër rrjete sociale.


MË SHUME NGA Kosovë