Mbi 700 raste të pickimit nga rriqrat në Malishevë
BKT
Kosovë

Mbi 700 raste të pickimit nga rriqrat në Malishevë

Edina Avdiu|RTK

Malisheva mbetet komuna me numrin më të lartë të rasteve të evidentuara nga pickimi i rriqrave. Deri më tash, mbi 700 persona kanë pësuar, por fatmirësisht pa komplikime serioze. Autoritetet komunale deklarojnë se situata është nën kontroll. Në fshatin Dragobil, sot u dezinsketuan rrugë e oborre.

Për asgjësimin e rriqrave, komuna e Malishevës ka kontraktuar një kompani që të martën kryente dezisnektimin.

Çdo vit, për banorët e shumë fshatrave të Malishevës, pickimi nga rriqrat kthehet në shqetësim. Dalip Halitaj është një prej tyre.

“Unë e kam pasur, në këmbë. E kam trajtuar vet, e kam heq. Njëfarë kruarje kur të ngjitet, kur do me i shti këmbët në trup të njeriut, njëfarë e kruarje të lajmërohet”, tha Halitaj.

Ka të tjerë që nuk shqetësohen shumë.

“Unë për vete sivjet s’kam parë, nuk jam zatet në ta”.

Nga komuna e Malishevës thonë se spërkatja e zonave endemike vazhdon dhe se numri i rasteve ka shënuar rënie.

 “Sipas planit operativ jemi duke implementuar kontratën me operatorin ekonomik për spërkatjen e zonave endemike në Komunën e Malishevës në sasi prej 2 mijë e 500 hektarë”, tha Halit Mazreku - zyrtar për Emergjenca në Komunën e Malishevës.

Deri më tash, gjatë këtij viti, janë evidentuar 784 raste të pickimit nga rriqrat në Malishevë dhe në komunat fqinje. Por vetëm në Malishevë janë evidentuar 753 sosh.

Sidoqoftë, në krahasim me vitet e kaluara, numri i rasteve të pickimeve nga rriqrat ka rënë për 20 për qind.

Shumica e personave të pickuar nga rriqrat në Malishevë, janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ndërsa 3 raste janë udhëzuar për në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, tha për RTK-në përmes telefonit se numri i pacientëve të pickuar nga rriqrat që kanë kërkuar trajtim në këtë Klinikë është i vogël dhe se kjo nuk është alarmante.


MË SHUME NGA Kosovë