KGJK-ja letër Qeverisë për mosfunksionimin e ajrosjes brenda objektit
N.M. /RTKlive
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarët e Gjykatave, i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës me një letër të hapur lidhur me kushtet brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë.
KGJK-ja dhe krerët e Gjykatave, në këtë letër, kanë thënë se brenda objektit nuk po funksionon klima dhe se temperaturat e larta brenda objektit po ndikojnë në procesin e punës. Ata kanë kërkuar të gjendet një zgjidhje për këtë problem.
“Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë dhe rritjes së temperaturës në ambientet e punës deri më 35 gradë Celsius, në një takim të jashtëzakonshëm të mbajtur sot më datë 24 korrik 2023, Këshilli Gjyqësor dhe kryetarët e gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, kanë vendosur që t’ju drejtohen me këtë letër të hapur”.
Në letër më tej thuhet se gjendja është përshkallëzuar dhe është arritur në një situatë ku gjyqtarët edhe punonjësit e gjykatave që operojnë brenda këtij objekti, “të punojnë në kushte alarmante të punës”, si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të ajrosjes.
KGJK në përmend edhe faktin se kanë skaduar kontratat për mirëmbajtjen e higjienës dhe për mirëmbajtjen teknike të objektit.
Në kontratën e fundit, sipas KGJK-së, përfshihej edhe klimatizimi dhe se menjëherë të nesërmen temperaturat në hapësirat në Pallat kanë shkuar deri në 35 gradë celsius “që është e papërballueshme dhe e dëmshme për shëndetin e punonjësve dhe palëve në procedurë“.
“Të gjendur në këtë situatë, Këshilli Gjyqësor në koordinim me Kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është i detyruar që në takimin e paralajmëruar për datën 25 korrik 2023 të merr vendim për ndërprerjen e punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave”, thuhet në letrën e hapur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
KGJK kërkon nga zyrtarët qeveritarë të ndërmarrin masa të menjëhershme, në të kundërtën paralajmëron se do të dëmtohet një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore në zhvillim e sipër dhe rrjedhimisht, do të pamundësohet çdo shërbim për qytetarët.
























