Temperaturat e larta, zjarrfikësit ftojnë qytetarët për kujdes
Pajtim Çuni /Radio Kosova
Përkundër temperaturave të larta, gjendja me zjarret në Kosovë vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll. Kështu thonë nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave. Edhe në Komunën e Pejës aktualisht nuk ka zjarre aktive në male. Zjarrfikësit i ftojnë qytetarët që të bëjnë kujdes e të parandalojnë përhapjen e zjarreve.
Rreth 200 zjarre, kryesisht fushore, i kanë shuar zjarrfikësit në Komunën e Pejës në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Kështu i tha Radio Kosovës Butrint Lajçi, komandant i Shërbimit të Zjarrfikësve në Pejë, teksa flet për situatën me zjarret në komunën me male të larta.
“Gjendja momentale në Komunën e Pejës për sa i përket zjarreve nuk është e keqe. Këto ditë kemi pasur rreth 20 zjarre fushore e të cilat kanë qenë lehtë të menaxhueshme. Zjarre në Bjeshkët e Rugovës, siç jemi mësuar të kemi për çdo vjet, fatmirësisht këtë vit deri tani nuk kemi dhe uroj të mos kemi gjatë gjithë vitit. Por, për këtë është i nevojshëm edhe kujdesi i qytetarëve”, tha ai.
Ndonëse situata është e qetë, Lajçi thotë se kapacitetet vepruese për shuarjen e zjarreve i kanë të kufizuara.
“Kapacitetet për veprim janë paksa të kufizuara. Automjetet të cilat i kemi janë të vjetruara. Kryesisht janë donacione. Kemi edhe automjetin që na ka ndihmuar Qeveria, është fjala për një autocisternë për shuarjen e zjarreve në terrene malore. Por, siç thashë, automjetet janë mjaft të vjetruara e të dëmtuara”, tha Lajçi.
Ndërkohë, edhe Nehat Koqinaj, udhëheqës i Divizionit për çështje ligjore dhe marrëdhënie me publikun në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, thotë se aktualisht gjendja me zjarret është e qetë.
“Gjendja me zjarret, deri në këto momente është e qetë, e menaxhueshme lehtë, pa probleme të mëdha. Natyrisht, rritja e temperaturave rrit edhe rrezikun për paraqitjen e zjarreve fushore dhe malore. Për sa i përket kapacitetit të vendit për përballjen me zjarret krahasuar me vitet paraprake nuk ka ndryshuar rrënjësisht, por gjithsesi jemi në përpjekje të vazhdueshme që kapaciteti reagues të përtërihet në kuptimin e moshës”, tha ai.
Koqinaj, tutje foli për Radio Kosovën edhe për mjetet e punës dhe pajisjet mbrojtëse të zjarrfikësve.
“Në aspektin e pajisjeve personale mbrojtëse, zjarrfikësit janë relativisht mirë të pajisur. Ndërsa furnizimi me pajisje për shuarjen ose luftimin e zjarreve, sidomos në mjedise urbane, vërtet lë shumë pë të dëshiruar dhe shpresojmë që në periudhën vijuese do të plotësohen me kohë, ndonëse këto mjete kanë një kosto më të lartë”, tha Koqinaj.
Ndonëse kanë kaluar 24 vite nga çlirimi, Kosova akoma nuk ka pajisje për shuarjen e zjarreve nga ajri. Në disa rast, këtë shërbim e kanë ofruar pjestarët e KFOR-it me helikopterët e tyre.
Me zjarre të shumta e të furishme po përballet qe disa ditë Greqia. Në këtë situatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë shprehur gatishmërinë që shteti ynë të ndihmojë Greqinë në luftën kundër zjarreve.























