MKRS përkujdeset për gurin e Pashkë Markut, e zhvendos në Mejë
M.P. / RTKlive
(E përditësuar 16:50) Pas hedhjes në plehra të gurit simbolik të nënës Pashkë Marku, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky institucion ka intervenuar menjëherë duke e marrë gurin për ta zhvendosur drejt Kompleksit të martirëve në Mejë të Gjakovës. Lajmin për RTKlive, në një përgjigje me shkrim e ka konfirmuar familjari, Flamur Marku.
“Po është e vërtetë. Ministria e ka dërguar para pak minutash gurin simbolik te Kompleksi i Martirëve të Masakrës së 27 prillit në Mejë”, ka thënë Marku për RTKlive.
Guri simbolik i Nënës Pashkë përfundon në plehra
Pas heqjes nga vendi që i takonte, guri simbolik në përkujtim të nënës që dogji veten pas vrasjes së dy djemve të saj nga serbët, Pashkë Marku është hedhur në plehra.
Për këtë ka reaguar shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni duke thënë se është hedhur në plehra një gur që e përkujton tragjedinë e Kosovës.
“Me siguri Hasani ndihet krenar dhe fitimtar, sepse nuk mundi ta ndalë askush: as Qeveria, as qytetarët. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se disa fitore janë më të turpshme se humbjet. Kjo e tij është e tillë. Hasan, ke hedhur në plehra një gur që na e përkujtonte një tragjedi të madhe, një gur që dëshmonte për krimet serbe. Duke e hequr një dëshmi të tillë, ke bërë një gabim të pafalshëm”, ka shkruar Apolloni, i cili rrëfen historinë e Markut në librin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.
Tutje Apolloni ka shkruar se pavarësisht motiveve qofshin ato fetare apo politike që e nxitën të dyshuarin për këtë veprim, duhet të turpërohet.
“Të gjithë shqiptarët normalë (muslimanë, të krishterë, jofetarë) janë në anën e asaj historie që ti sot e hodhe në plehra. Na munde të gjithëve. Fitove, Hasan. Për turpin tënd, fitove”, ka thënë ai.
Kur ishte hequr guri nga vendi, familjari i Pashkë Markut, Flamur Marku, kishte reaguar përmes një postimin në Facebook, duke thënë se asnjë shkëmb nuk do të mund ta përshkruante dhimbjen e Nanës Pashkë për bijtë e vrarë nga forcat armike serbe. Sipas tij, asnjë gur i hequr nuk mund ta zbehë kurrë sakrificën dhe mesazhin e saj për botën me aktin e vetëflijimit.
























