Weidinger në takim lamtumirës: Kosova do të zhvillohet me rini aktive
BKT
Kosovë

Weidinger në takim lamtumirës: Kosova do të zhvillohet me rini aktive

V.Th. / RTKlive

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger. Gjatë takimit, Weidinger potencoi se nëpërmjet rinisë aktive dhe të arsimuar, Kosova do të zhvillohet.

“Si definicion, rinia është e ardhmja e të gjitha shteteve. Me një rini kaq aktive dhe të arsimuar, unë nuk kam asnjë dyshim që Kosova do të zhvillohet në mënyrë dinamike”, tha ambasadori Weidinger, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrisë.

Gjithashtu ambasadori austriak veçoi mikpritjen e njerëzve të Kosovës.

“E kam shijuar kohën e kaluar në Kosovë. Kosova do të ruajë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time për shkak të ngrohtësisë dhe mikpritjes së njerëzve”, ka thënë ai.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për kontributin, duke thënë se Kosova po zhvillohet përtej barrierave.

“Vendi ynë po e forcon demokracinë dhe politikat e saj anti-korrupsion, duke u fokusuar në sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen. Benefitet e rritjes dhe zhvillimit të vendit duhet të ndahen proporcionalisht tek qytetarët tanë dhe të ulim pabarazitë”, u shpreh Bislimi.


MË SHUME NGA Kosovë